Qeveria e Greqia ka vendosur të rrisë pagën minimale mujore në 920 euro, duke shënuar një tjetër hap në politikën e saj për përmirësimin e të ardhurave të punonjësve. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis, i cili theksoi se kjo është rritja e gjashtë që nga viti 2022.
Rritja prej 40 eurosh në muaj përkthehet në një përfitim vjetor që arrin afërsisht gjysmën e një page mujore shtesë. Në total, paga minimale në vend ka shënuar një rritje të konsiderueshme prej mbi 40% që nga viti 2019.
Vendimi nuk prek vetëm pagën bazë, por shtrihet edhe në disa elementë të tjerë të sistemit të pagave, përfshirë përfitimet për vjetërsinë në punë, nivelet e pagave në sektorin publik dhe disa skema sociale mbështetëse.
Kjo rritje pritet të hyjë në fuqi më 1 prill dhe synon të përmirësojë standardin e jetesës në një periudhë sfiduese për ekonominë globale. Autoritetet greke kanë vendosur gjithashtu një objektiv për ta çuar pagën minimale në 950 euro deri në vitin 2027.
Një nga kategoritë që përfiton drejtpërdrejt nga kjo rritje janë edhe emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, të cilët do të kenë të ardhura më të larta dhe përfitime më të mira sociale.
Kryeministri Mitsotakis theksoi se në një kohë të pasigurt ndërkombëtare, stabiliteti ekonomik dhe uniteti i brendshëm mbeten thelbësorë për forcimin e vendit dhe përballimin e sfidave të ardhshme.
