Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Malaj, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar pas mungesës së deputetes Elisa Spiropali në seancën ku u votua për imunitetin e Belinda Ballukut.
I ftuar në një studio televizive, Malaj u shpreh se deri më tani nuk ka asnjë vendim të marrë në lidhje me këtë çështje dhe se çdo qëndrim do të jetë rezultat i diskutimeve brenda grupit parlamentar.
“Unë nuk marr apo shpall asnjë vendim pa e konsultuar me grupin parlamentar. Nuk është diskutuar ende,” deklaroi ai.
Malaj theksoi se grupi parlamentar i PS zhvillon rregullisht mbledhje, ku trajtohen çështjet kryesore dhe qëndrimet për votimet në Kuvend.
Sipas tij, deri në këtë moment nuk ka pasur asnjë reagim apo shqetësim nga deputetët lidhur me mungesën e Spiropalit në atë seancë.
“Kur kemi bërë mbledhjet e kaluara, asnjë nga kolegët nuk ka shprehur mendim ndryshe apo shqetësim,” shtoi Malaj.
Çështja pritet të diskutohet në mbledhjet e ardhshme të grupit parlamentar, ku do të merret edhe një vendim përfundimtar.
