Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka ashpërsuar tonet ndaj qeverisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku për korrupsion të përmasave të mëdha.
Në fjalën e mbajtur para mbështetësve në protestë, Berisha deklaroi se “me Ramën nuk ka të ardhme në Shqipëri”, duke theksuar se opozita është në një betejë që, sipas tij, nuk mund të ndalet.
“Kjo nuk është ndeshje futbolli, por një betejë që nuk ka forcë në botë ta ndalë të shkojë në fitore,” u shpreh ai.
Berisha ngriti akuza të drejtpërdrejta ndaj Ballukut, duke pretenduar se ajo, në bashkëpunim me kryeministrin, ka abuzuar me fondet publike në shifra shumë të mëdha.
Ai u ndal edhe tek sistemi i drejtësisë dhe SPAK, për të cilin tha se qytetarët kishin pasur pritshmëri të mëdha, por sipas tij këto shpresa janë zhgënjyer.
“Shpresa jeni ju vetë,” u tha ai qytetarëve, duke i bërë thirrje për bashkim dhe për vazhdimin e protestave deri në largimin e qeverisë.
Në përfundim, lideri i opozitës deklaroi se lëvizja opozitare synon një ndryshim të madh politik, duke e krahasuar atë me vitin 1992 dhe rikthimin e vendit në rrugën e demokracisë.
