Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi ka reaguar ashpër pas protestës së fundit të opozitës në Tiranë, duke akuzuar se dhuna e ushtruar nga policia ishte e organizuar dhe me urdhër politik.
Në një deklaratë publike, Vokshi theksoi se në shënjestër të ndërhyrjes së forcave të rendit ishte edhe lideri i opozitës, Sali Berisha, duke e cilësuar situatën si të paprecedentë në 35 vitet e fundit.
Sipas saj, përdorimi i gazit lotsjellës, ujit me presion dhe forcës fizike ndaj protestuesve, përfshirë qytetarë të zakonshëm, gra dhe deputetë, kishte si qëllim intimidimin e opozitës dhe dekurajimin e protestave.
Vokshi pretendon se ndërhyrja e policisë nuk ishte thjesht për ruajtjen e rendit, por një skemë e mirëorganizuar për të ndaluar marshimin dhe për të provokuar përplasje. Ajo shton se janë përdorur edhe individë të dedikuar për të goditur drejtpërdrejt Berishën gjatë protestës.
Deputetja demokrate theksoi se, pavarësisht situatës, opozita nuk do të tërhiqet nga kauza e saj dhe do të vijojë protestat.
Në përfundim, Vokshi deklaroi se kjo situatë tregon se kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij janë në një fazë të dobët politike, duke paralajmëruar përshkallëzim të mëtejshëm të reagimit opozitar.
