Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, është shprehur i bindur se aleatët e aleancës, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, do të gjejnë një rrugë për të rihapur Ngushticën e Hormuzit.
Duke folur nga samiti i Bashkimit Europian, Rutte theksoi se janë në zhvillim bisedime intensive për të garantuar sigurinë dhe qarkullimin e lirë në këtë korridor strategjik, jetik për ekonominë globale.
Ai nënvizoi gjithashtu mbështetjen e aleancës për veprimet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, duke theksuar se është thelbësore të parandalohet që Teherani të sigurojë kapacitete bërthamore.
Sipas Rutte, një Iran me armë bërthamore do të përbënte një kërcënim serioz për sigurinë e Europës, Lindjes së Mesme dhe veçanërisht për Izraelin.
Ai shtoi se ekziston një konsensus i gjerë mes aleatëve se Ngushtica e Hormuzit nuk mund të qëndrojë e bllokuar dhe duhet të rihapet sa më shpejt, për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë në tregtinë globale të energjisë.
Ndërkohë, nga i njëjti samit, Emmanuel Macron dënoi përshkallëzimin e konfliktit dhe sulmet ndaj infrastrukturës energjetike në rajon, duke i cilësuar ato si të pamatura dhe të rrezikshme për stabilitetin ndërkombëtar.
