Analisti Anri Bala ka bërë akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se ai po përdor institucionet e drejtësisë për interesa politike.
I ftuar në një studio televizive, Bala u shpreh se përmes një strategjie të përqendruar te SPAK, Rama ka arritur të godasë në disa drejtime njëkohësisht.
Sipas tij, në radhë të parë janë goditur kundërshtarët politikë të opozitës, ndërsa paralelisht janë targetuar edhe figura brenda mazhorancës, duke përmendur emra si Saimir Tahiri, Erion Veliaj dhe Belinda Balluku.
Bala argumentoi se kjo qasje i shërben edhe për të krijuar perceptimin e një lufte kundër korrupsionit përpara Bashkimi Evropian, duke përmbushur pritshmëritë ndërkombëtare.
Në analizën e tij, ai shtoi se përmes këtyre veprimeve krijohen edhe statistika që tregojnë funksionimin e drejtësisë, ndërsa në fund, sipas tij, mund të përdoren edhe mekanizma ndërkombëtarë për mbrojtje politike.
Në përfundim, Bala theksoi se, sipas tij, e gjithë kjo strategji nuk synon mbrojtjen e individëve apo të sistemit, por forcimin e pushtetit personal.
