Ngjarja e rëndë që tronditi opinionin publik, ku 25-vjeçarja Xhuana Nikolli nga Lezha humbi jetën në Tiranë, vijon të ngrejë pikëpyetje të forta dhe të thellojë dhimbjen e familjarëve.
E reja dyshohet se i dha fund jetës duke konsumuar fostoksinë, ndërsa autoritetet kanë shpallur në kërkim ish-partnerin e saj, Eraldo Fizi, i cili akuzohet nga familjarët për ushtrim dhune ndaj saj.
Sipas dëshmive të familjes, 25-vjeçarja kishte pësuar dhunë të vazhdueshme, ndërsa në trupin e saj janë konstatuar dëmtime dhe hematoma. Rasti është denoncuar në polici dhe hetimet janë në vijim për të zbardhur plotësisht rrethanat.
Ndërkohë, e ëma e ish-partnerit ka reaguar shkurtimisht për mediat, duke refuzuar të japë detaje dhe duke theksuar se dëshiron të respektojë kujtimin e të resë.
“Më vjen keq, por nuk mund të flas. Dua të respektoj të ndjerën që është atje ku nuk duhet të ishte”, u shpreh ajo.
Më herët ka reaguar edhe babai i viktimës, i cili deklaroi se familja ia ka lënë çështjen në dorë drejtësisë, ndërsa bëri të ditur se kontakti i fundit i vajzës para ngjarjes ka qenë me nënën e saj.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje problematikën e dhunës në marrëdhënie dhe nevojën për reagim të shpejtë institucional në raste të tilla, ndërsa autoritetet pritet të vijojnë hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.
