Këshilltari i presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, Kreshnik Çollaku, ka reaguar ashpër ndaj letrës së përbashkët të Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç drejtuar vendeve të Bashkimi Europian, duke e cilësuar atë si një hap të gabuar dhe të dëmshëm për Kosovën.
Në një prononcim për mediat, Çollaku u shpreh se kjo nismë është “totalisht e pavend, e pamend dhe një gabim”, duke theksuar se rikthen një qasje të dështuar të ngjashme me iniciativën e mëparshme të “Open Balkan”.
Sipas tij, iniciativa rrezikon të dëmtojë drejtpërdrejt interesat strategjike të Kosovës, pasi krijon hapësira që Serbia të avancojë në procesin e integrimit europian pa zgjidhur çështjet themelore me Kosovën.
Çollaku argumentoi se bashkëpunimi i Shqipërisë me Serbinë në këtë formë cenon koordinimin strategjik mes Tiranës dhe Prishtinës, duke theksuar se Serbia mbetet kundërshtari kryesor në raport me sovranitetin e Kosovës.
Ai shtoi se kjo lëvizje diplomatike i jep Serbisë një avantazh të padrejtë në procesin e negociatave me BE-në, duke dobësuar mekanizma të rëndësishëm si kapitulli 35, që lidhet me detyrimin për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Sipas këshilltarit të presidentes, nëse një qasje e tillë do të merrej seriozisht nga Brukseli, pala më e dëmtuar do të ishte Kosova, pasi do të anashkalohej një nga çështjet më të rëndësishme në rajon.
Ai kritikoi gjithashtu kryeministrin Rama për rikthimin në iniciativa që, sipas tij, kanë dështuar më parë dhe kanë krijuar tensione mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke theksuar se këto përpjekje rrezikojnë të përsërisin të njëjtat pasoja negative në marrëdhëniet rajonale.
