Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar qytetarët për Ditën e Verës nga qyteti i Elbasanit, ku mori pjesë në aktivitetet festive dhe vizitoi panairin e organizuar në qendër të qytetit.
Gjatë deklaratës së tij, Berisha e lidhi festën tradicionale me zhvillimet e fundit politike në vend, duke kritikuar kryeministrin Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Sipas tij, vendimet e fundit politike kanë ndikuar negativisht në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
“Është e trishtë dhe e dhimbshme se në 34 vite kjo është Dita e parë e Verës në të cilën dyert e Europës u mbyllën për shqiptarët për shkak të veprimeve të pashembullta në historinë e vendeve që shkojnë drejt integrimit nga dyshja Rama-Balluku,” u shpreh Berisha.
Ai shtoi se qytetarët shqiptarë meritojnë një të ardhme europiane dhe u shpreh se shpreson që në vitet e ardhshme vendi të jetë më pranë integrimit në Bashkimin Evropian.
Berisha theksoi gjithashtu rëndësinë e Ditës së Verës si një nga festat më të vjetra të shqiptarëve, duke nënvizuar se Elbasani mbetet qendra tradicionale e kësaj feste, ku çdo vit mblidhen mijëra qytetarë për të festuar ardhjen e pranverës.
