Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi se në seancën paraprake gjyqësore ndaj Ilir Metës është paraqitur një provë e re që, sipas tij, hedh poshtë akuzat për lobim të paligjshëm.
Sipas Blushit, gjatë seancës është përmendur një intervistë e ish-ambasadorit amerikan në Shqipëri, Donald Lu, e publikuar në vitin 2016, ku sipas tij konfirmohet se marrëdhëniet dhe takimet e Metës në Shtetet e Bashkuara kanë qenë të karakterit institucional.
Ai theksoi se në atë intervistë, ish-ambasadori amerikan kishte deklaruar se Ambasada e SHBA në Tiranë kishte ndihmuar në organizimin e takimeve të Metës në Uashington, ashtu si edhe për zyrtarë të tjerë të lartë shqiptarë.
Blushi shtoi se kjo, sipas tij, tregon se komunikimet dhe vizitat e Metës në SHBA janë zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit institucional dhe në përputhje me ligjet shqiptare dhe amerikane.
Sipas përfaqësuesit të Partisë së Lirisë, këto elemente rrëzojnë pretendimet për lobim të paligjshëm dhe tregojnë se akuzat ndaj Ilir Metës janë të pabazuara.
Ai theksoi gjithashtu se procesi gjyqësor duhet të zhvillohet mbi bazën e standardeve të një gjykimi të drejtë dhe me respektimin e parimit të prezumimit të pafajësisë.
