Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar në 27-vjetorin e Masakrës në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë, duke theksuar se krimet e kryera ndaj civilëve gjatë luftës në Kosovë nuk mund të harrohen dhe nuk duhet të mbeten pa drejtësi.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti kujtoi se më 13 mars 1999 forcat serbe sulmuan me granata tregun e qytetit të Mitrovicës, ku si pasojë humbën jetën 7 civilë dhe u plagosën 128 të tjerë.
Ai theksoi se ndër viktimat ishte edhe një fëmijë vetëm 5 vjeç, ndërsa shumë nga të plagosurit mbartin pasoja fizike dhe psikologjike edhe sot.
Sipas Kurtit, ky sulm ishte pjesë e një strategjie të qëllimshme terrori ndaj popullatës civile shqiptare gjatë luftës në Kosovë.
“Krimet e kryera nga Serbia nuk mund të harrohen dhe as të mbeten pa drejtësi,” shkroi Kurti, duke shtuar se drejtësia për krimet e luftës mbetet një detyrim moral dhe historik ndaj familjeve të viktimave dhe brezave që do të vijnë.
Në përvjetorin e kësaj ngjarjeje, institucionet e Kosovës nderojnë viktimat dhe shprehin solidaritet me familjet e tyre, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës për krimet e kryera gjatë luftës.
