Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka kritikuar reagimin e institucioneve shqiptare për situatën e qytetarëve shqiptarë në Lindjen e Mesme.
Gjatë një mbledhjeje në Komisionin e Jashtëm, Shehu u shpreh se shteti shqiptar nuk bëri mjaftueshëm për të ndihmuar në mënyrë direkte qytetarët që ndodheshin në zonat e prekura nga kriza.
Sipas tij, ndryshe nga shumë shtete të tjera që mobilizuan mjete dhe fonde për të ndihmuar qytetarët e tyre, reagimi i Shqipërisë ka qenë i pamjaftueshëm.
Shehu theksoi se kjo situatë nxjerr në pah mungesën e dimensionit social në funksionimin e shtetit shqiptar.
“Shtetit shqiptar i mungon aspekti social. Shqipëria është shteti më antisocial në Europë në të gjitha parametrat”, deklaroi ai.
Sipas deputetit demokrat, në raste të tilla shteti duhet të reagojë menjëherë dhe të vendosë në dispozicion të gjitha mjetet dhe burimet e nevojshme për të mbështetur qytetarët që ndodhen në situata të vështira jashtë vendit.
