Dhjetë organizata të shoqërisë civile kanë reaguar me një deklaratë të përbashkët pas vendimit të Kuvendit për të rrëzuar kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të deputetes Belinda Balluku.
Në deklaratën e tyre, organizatat shprehin shqetësimin për vendimin e Parlamentit, duke theksuar se kjo çështje ishte kthyer në një test të rëndësishëm për funksionimin e institucioneve demokratike, barazinë para ligjit dhe besueshmërinë e reformës në drejtësi.
Sipas tyre, imuniteti parlamentar nuk duhet të përdoret si mburojë për të penguar zbatimin e masave të sigurisë në kuadër të një procesi penal.
Organizatat theksojnë se imuniteti është krijuar për të garantuar lirinë e fjalës dhe votës së deputetëve në Parlament dhe jo për të penguar organet e drejtësisë në hetimin e dyshimeve për vepra penale.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se ndjekja efektive e korrupsionit, veçanërisht në nivelet e larta të qeverisjes, është një kusht i domosdoshëm për përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Organizatat i bëjnë thirrje institucioneve që të garantojnë zhvillimin e proceseve hetimore pa pengesa institucionale, të shmangin interpretimet politike të drejtësisë dhe të forcojnë transparencën dhe llogaridhënien në jetën publike.
Po ashtu, ato kërkojnë që organet e drejtësisë të vazhdojnë punën me profesionalizëm dhe pavarësi, duke dëshmuar se askush nuk është mbi ligjin dhe se reforma në drejtësi mbetet një proces i pakthyeshëm në rrugën europiane të vendit.
Deklarata është nënshkruar nga disa organizata të njohura të shoqërisë civile, mes tyre Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Instituti për Studime Politike, Qëndresa Qytetare dhe Instituti Shqiptar i Shkencës
