Kuvendi vendos sot për kërkesën e SPAK ndaj Belinda Ballukut, PS kundër arrestimit ndërsa PD proteston brenda dhe jashtë Parlamentit

Data

Seanca e sotme plenare në Kuvend pritet të vendosë për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku, një çështje që ka shkaktuar tensione të forta politike mes mazhorancës dhe opozitës.

Në seancë do të shqyrtohen dy raportet e përgatitura nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Socialistët kanë deklaruar se do të votojnë kundër arrestimit të Ballukut, duke argumentuar se ajo nuk mban më funksione ekzekutive dhe nuk përbën rrezik për prishjen e provave apo arratisje, ndërsa hetimi nga SPAK mund të vijojë edhe pa masën e arrestit me burg.

Nga ana tjetër, opozita këmbëngul se heqja e imunitetit është e domosdoshme për t’i hapur rrugë hetimit pa ndikime politike. Raporti i opozitës në seancë është paraqitur nga deputeti Oerd Bylykbashi.

Paralelisht me zhvillimet në sallën e Kuvendit, Partia Demokratike ka thirrur një protestë para Parlamentit në orën 10:00. Mbështetësit e opozitës janë ftuar të mblidhen në bulevardin përballë Kuvendit për të kundërshtuar qëndrimin e mazhorancës.

Lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi se protesta shënon një etapë të re të përballjes politike me qeverinë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për mbrojtje politike ndaj bashkëpunëtorëve të tij.

Ndërkohë, Policia e Tiranës ka marrë masa të shtuara sigurie për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjen e tubimit. Lëvizja e automjeteve në rrugën “George W. Bush” është kufizuar që nga ora 06:00 e mëngjesit, ndërsa në varësi të situatës mund të bllokohen edhe akse të tjera rrugore.

Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka paralajmëruar qytetarët amerikanë për protestën, duke këshilluar shmangien e zonës përreth Parlamentit dhe monitorimin e situatës së sigurisë.

Kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut u dorëzua në Kuvend në dhjetor të vitit 2025, në kuadër të hetimeve për disa procedura tenderimi në projekte infrastrukturore. Votimi i sotëm në Kuvend pritet të vendosë nëse do të jepet apo jo autorizimi për arrestimin e saj.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related