Gazetarja Anduena Llabani ka bërë akuza të forta në një studio televizive lidhur me veprimtarinë e një grupi kriminal në qytetin e Vlorës, duke iu referuar një operacioni të zhvilluar nga SPAK më 7 mars.
Sipas saj, nga përgjimet e prokurorisë rezulton se grupi kriminal është i përfshirë në një sërë veprash penale, ndërsa një nga elementët më shqetësues, sipas saj, është ndikimi që ky grup dyshohet se kishte brenda strukturave të policisë lokale.
Llabani deklaroi se, sipas informacioneve që disponon, disa efektivë të policisë në Vlorë dyshohet se ishin të lidhur me këtë grup kriminal.
“Ata ishin blerë që nga shefi i komisariatit, drejtori e nëndrejtori, deri tek policët që merrnin rrogë nga ky grup kriminal”, u shpreh ajo.
Gazetarja shtoi gjithashtu se, sipas të dhënave që ajo ka siguruar, për një nga atentatet e bujshme në Vlorë dyshohet se është paguar një shumë prej rreth 300 mijë eurosh për ekzekutimin e Bledar Birçajt.
Ajo i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme që të hetojë në thellësi këtë çështje, ndërsa theksoi se një nga personat e dyshuar si ekzekutor ndodhet aktualisht në paraburgimin e Fierit.
