Alarm për sigurinë kibernetike në Shqipëri, Homeland Justice publikon mesazh kërcënues pas sulmit ndaj Kuvendit

Data

Një alarm për sigurinë kibernetike është ngritur në Shqipëri pasi grupi i hakerëve Homeland Justice ka publikuar një mesazh kërcënues dhe disa të dhëna që pretendohet se janë marrë nga komunikimet e administratës së Kuvendit të Shqipërisë.

Sulmi vjen në një moment kur Irani ndodhet në një përballje të ashpër ushtarake me SHBA dhe Izraelin, ndërsa aktiviteti kibernetik i lidhur me grupin Homeland Justice vijon të jetë në fokus të institucioneve shqiptare të sigurisë.

Në një postim në platformën Telegram, hakerët publikuan disa pamje që sipas tyre tregojnë korrespondencë të brendshme me email mes punonjësve të administratës së Kuvendit. Dokumentet e publikuara përfshijnë komunikime të datës 4 mars 2024 që lidhen me organizimin e seancave plenare, kalendarin e punës dhe dorëzimin e dokumenteve zyrtare.

Në një postim tjetër, disa minuta më vonë, janë publikuar edhe pamje të tjera që tregojnë komunikime të zhvilluara gjatë muajve shkurt dhe mars.

Burime nga administrata e Kuvendit kanë bërë të ditur se për momentin janë paralizuar shërbimet e brendshme të emailit, duke pezulluar përkohësisht dërgimin dhe marrjen e mesazheve nga adresat zyrtare të institucionit.

Ndërkohë në Kryesinë e Kuvendit ndodhen ekspertë të Agjencisë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI) dhe strukturave të tjera të sigurisë kibernetike, të cilët po analizojnë situatën dhe shkaqet e mundshme të sulmit.

Institucioni i Kuvendit ka deklaruar se rasti është duke u verifikuar dhe se një njoftim zyrtar do të publikohet pasi të përfundojë vlerësimi i situatës.

Edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar për zhvillimin duke deklaruar se është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse për sigurinë kombëtare dhe po informohet mbi masat e marra për garantimin e mbrojtjes së sistemeve shtetërore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related