Polonia kufizon numrin e tifozëve shqiptarë për ndeshjen play-off të Botërorit 2026

Data

Federata polake e futbollit ka nisur shpërndarjen e biletave për ndeshjen play-off të Kupës së Botës 2026 mes Polonisë dhe Shqipërisë, që do të zhvillohet më 26 mars në Varshavë.

Sfida do të luhet në stadiumin “PGE Narodowy” dhe është vendimtare për rrugëtimin drejt Botërorit. Fituesi i këtij dueli do të përballet më pas me fituesin e çiftit Ukrainë – Suedi për një vend në Grupin F të Kupës së Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Interesimi i lartë i tifozëve polakë ka bërë që Federata polake të kufizojë numrin e biletave për tifozët shqiptarë. Sipas rregulloreve të UEFA-s, Shqipërisë i janë rezervuar vetëm 5% e kapacitetit të stadiumit, që përkthehet në rreth 3000 vende.

Pala shqiptare kishte kërkuar që numri i biletave për tifozët kuqezinj të rritej në 5000, ndërsa për këtë çështje ndërhyri edhe ambasadorja e Shqipërisë në Poloni, Mimoza Halimi, e cila zhvilloi një takim me drejtuesit e federatës polake. Megjithatë, kërkesa nuk u pranua.

Nga ana tjetër, Federata Shqiptare e Futbollit ka siguruar edhe rreth 100 bileta në tribunën VIP për sponsorët dhe zyrtarët e saj.

Stadiumi “PGE Narodowy” ka një kapacitet prej rreth 58 mijë e 580 ulësesh dhe pritet që përballja të zhvillohet në një atmosferë shumë të zjarrtë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related