Romeo Kara denoncon problem me llogarinë në Raiffeisen Bank: Më zbrazën llogarinë dhe më nxorën debitor

Data

Avokati Romeo Kara ka denoncuar publikisht një situatë që ai e cilëson problematike me llogarinë e tij në Raiffeisen Bank, duke pretenduar se nga llogaria e pagës i janë tërhequr para pa shpjegim dhe më pas është shfaqur si debitor.

Sipas Karës, nga llogaria e tij janë marrë rreth 800 mijë lekë, ndërsa më pas sistemi i bankës e ka shfaqur atë me një detyrim mbi 1 milion lekë. Ai deklaroi se pasi kontaktoi bankën për të kërkuar sqarime, përgjigjja e vetme që mori ishte se bëhej fjalë për një problem teknik në sistem.

“Mendova se mund të ishte një hakerim. Pas një komunikimi të gjatë me bankën më thanë vetëm se ka një problem me sistemin,” u shpreh Kara.

Avokati theksoi gjithashtu se ka marrë njoftime në telefon për tërheqje të mëdha parash nga bankomatet, të cilat ai pretendon se nuk i ka kryer.

Rasti ka ngritur shqetësime për sigurinë e llogarive bankare dhe funksionimin e sistemeve elektronike në bankat e nivelit të dytë.

Ndërkohë, sipas Shoqatës Shqiptare të Bankave, kohët e fundit janë raportuar edhe raste të telefonatave mashtruese që përdorin emrin e bankave për të marrë të dhëna nga klientët. Këto telefonata shpesh realizohen përmes teknologjisë VOIP dhe kërkojnë informacione të ndjeshme si numri i kartës, data e skadencës ose kodet e sigurisë.

Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Spiro Brumbulli, ka bërë thirrje që qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të mos ndajnë asnjëherë të dhënat e kartave bankare përmes telefonit ose platformave jozyrtare.

Autoritetet dhe institucionet financiare këshillojnë klientët të kontrollojnë rregullisht llogaritë e tyre dhe të raportojnë menjëherë çdo aktivitet të dyshimtë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related