Prokuroria e Lezhës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen penale që lidhet me ndërtimet pa leje në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin, ku janë marrë të pandehur 9 persona.
Sipas organit të akuzës, tre ish-drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Lezhë – Gentjan Malota, Artur Shabaku dhe Admir Maxhani – akuzohen për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Për të njëjtën akuzë do të përballen në gjykatë edhe dy ish-drejtues të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Kol Malaj dhe Flori Gjini, si dhe polici i zonës së Shëngjinit, Martin Ndoka.
Ndërkohë, ndërtuesi Pjetër Tuci akuzohet për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”.
Në dosje janë përfshirë edhe dy inxhinierë ndërtimi, Luiza Bala dhe Hekuran Xhina, të cilët akuzohen për “Falsifikim dokumentesh”.
Çështja lidhet me ndërhyrje të paligjshme ndërtimore në zonën bregdetare të Ranës së Hedhun, një nga zonat më të njohura turistike në Shëngjin. Dosja tashmë pritet të shqyrtohet nga gjykata për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të të pandehurve.
