Komuniteti shqiptar mbetet një nga më të mëdhenjtë në Itali. Sipas të dhënave të Eurostat, rreth 557 mijë persona të lindur në Shqipëri jetonin në Itali, ndërsa 416 mijë rezultojnë ende me shtetësi shqiptare.
Diferenca mes këtyre shifrave lidhet me faktin se një pjesë e emigrantëve shqiptarë kanë marrë ndërkohë shtetësinë italiane, e cila vlerësohet se është marrë nga rreth 141 mijë persona.
Sipas statistikave europiane, shqiptarët janë komuniteti i dytë më i madh i emigrantëve në Itali, pas rumunëve. Rreth 900 mijë persona të lindur në Rumani jetojnë aktualisht në Itali, duke përbërë 13.5% të emigrantëve në këtë vend.
Shqiptarët përbëjnë rreth 8.3% të totalit të emigrantëve në Itali, duke ruajtur një prani të konsoliduar në tregun e punës dhe në strukturën sociale të vendit.
Në raport me popullsinë e vendit të origjinës, komuniteti shqiptar në Itali është shumë i madh. Shqipëria ka rreth 2.36 milionë banorë, ndërsa Rumania rreth 19 milionë, çka do të thotë se pesha relative e emigracionit shqiptar është shumë më e lartë.
Eurostat thekson gjithashtu se Shqipëria është ndër vendet me emigracionin më të lartë në Europë, pasi afërsisht 1 në 2 shqiptarë jeton në Bashkimin Europian.
Në nivel të BE-së, më 1 janar 2024 rreth 44.7 milionë persona të lindur jashtë BE-së jetonin në një vend të Unionit, duke përfaqësuar 9.9% të popullsisë së përgjithshme. Numri më i madh i emigrantëve gjendet në Gjermani, Francë, Spanjë dhe Itali, të cilat së bashku përbëjnë mbi 66% të popullsisë së lindur jashtë vendit në BE.
