Djali i Ali Khameneit drejt udhëheqjes së Iranit, Asambleja e Ekspertëve dakord për Mojtaba Khamenein

Data

Asambleja e Ekspertëve në Iran duket se ka arritur një dakordësi të gjerë për kandidatin që pritet të pasojë Ali Khamenein në krye të Republikës Islamike.

Sipas burimeve nga brenda organit që emëron liderin suprem, është arritur një marrëveshje për kandidaturën e Mojtaba Khameneit, djalit të udhëheqësit suprem të ndjerë. Megjithatë, shpallja zyrtare e vendimit është shtyrë për shkak të çështjeve të sigurisë dhe procedurave institucionale.

Burimet bëjnë të ditur se ende ka disa mosmarrëveshje lidhur me mënyrën dhe momentin e njoftimit publik të këtij vendimi.

Mojtaba Khamenei, i lindur në vitin 1969 në Mashhad, është rritur në një mjedis të politizuar dhe ka ndërtuar lidhje të forta me strukturat e sigurisë së vendit, veçanërisht me Gardën Revolucionare Islamike.

Ai ka studiuar teologji dhe jurisprudencë islame në Teheran dhe Qom dhe prej vitesh konsiderohet një figurë me ndikim të madh brenda sistemit politik dhe ushtarak iranian.

Njohësit e çështjeve iraniane vlerësojnë se roli i tij në Gardën Revolucionare dhe në strukturat mediatike shtetërore e vendos atë si një figurë kyçe për vazhdimësinë e pushtetit në Republikën Islamike.

Vendimi zyrtar pritet të shpallet sapo të përfundojnë procedurat dhe të garantohen kushtet e sigurisë për publikimin e tij.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related