Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka kërkuar rishikimin e projektit për portin e Porto Romanos në Durrës, duke e konsideruar planin aktual shumë të kufizuar për potencialin strategjik të vendit.
Kreu i kësaj organizate, Grant Van Cleeve, i ka dërguar një letër publike kryeministrit Edi Rama dhe disa zyrtarëve të tjerë të qeverisë, ku kërkon shtyrjen e tenderit të planifikuar për datën 9 mars.
Në letrën e tij, ai argumenton se projekti për Porto Romanon është një vendim strategjik që mund të ndikojë në pozicionin ekonomik dhe gjeopolitik të Shqipërisë për dekadat e ardhshme.
Sipas Van Cleeve, projektimi aktual i portit është shumë i vogël dhe nuk do t’i lejojë Shqipërisë të shfrytëzojë plotësisht potencialin e saj logjistik në rajon.
Ai paralajmëron se nëse porti ndërtohet me përmasat e planifikuara aktualisht, flukset kryesore të mallrave në rajon do të vazhdojnë të kalojnë përmes porteve të mëdha si Pireu dhe Selaniku, duke e lënë Shqipërinë jashtë rrjeteve kryesore logjistike të Mesdheut.
Letra i drejtohet gjithashtu ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi, ministrit të Mbrojtjes Ermal Nufi dhe drejtuesit të Autoritetit Portual të Durrësit.
Dhoma Amerikane e Tregtisë sugjeron që projekti të rishikohet në përputhje me kërkesat strategjike të Korridorit VIII dhe standardet e NATO-s, duke synuar ndërtimin e një porti me kapacitete më të mëdha logjistike dhe detare.
Sipas propozimit, zhvillimi i Porto Romanos mund të realizohet me financim të përbashkët nga partnerë ndërkombëtarë, përfshirë kompani nga Shtetet e Bashkuara, Italia, Holanda dhe Turqia.
Van Cleeve thekson se një port i zhvilluar në shkallë të gjerë mund ta kthejë Shqipërinë në një qendër kryesore logjistike në Evropën Juglindore dhe të rrisë rëndësinë strategjike të Korridorit VIII në rajon.
