Belinda Balluku dorëzon drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe reagon për hetimet ndaj saj

Data

Pas shtatë vitesh në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku i ka dhënë fund mandatit të saj në këtë detyrë, duke dorëzuar zyrtarisht drejtimin e institucionit tek pasardhësi i saj, Enea Karakaçi.

Gjatë një takimi me stafin e ministrisë, Balluku mbajti fjalën e saj të fundit si drejtuese e dikasterit, duke vlerësuar punën e bërë gjatë viteve në qeveri dhe duke falënderuar bashkëpunëtorët për angazhimin e tyre.

“Puna që kemi bërë është historike. Fjalët i merr era, punët do të mbeten”, u shpreh ajo në fillim të fjalës së saj.

Balluku reagoi edhe për hetimet që janë hapur ndaj saj nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke deklaruar se çështjet juridike duhet të trajtohen nga institucionet e drejtësisë dhe jo në debate publike apo mediatike.

Ajo theksoi se nuk ka penguar në asnjë moment procesin hetimor dhe se beson që drejtësia duhet të veprojë në mënyrë të pavarur dhe sipas ligjit.

“Besoj se çdo çështje juridike nuk zgjidhet në rrjetet sociale apo në debate televizive, por duhet të ndjekë rrjedhën që parashikon ligji dhe Kushtetuta”, tha Balluku.

Ish-ministrja theksoi gjithashtu se nuk ka pasuri të fshehura apo pasuri të mëdha, duke hedhur poshtë akuzat që janë artikuluar në debatet publike.

Gjatë fjalës së saj ajo falënderoi kryeministrin Edi Rama për besimin që i ka dhënë gjatë viteve në qeveri dhe për mundësinë për të drejtuar ministrinë.

“Dua të falënderoj kryeministrin Rama për besimin dhe mundësinë që më ka dhënë gjatë këtyre viteve, si dhe për mënyrën e lidershipit që ka ndërtuar”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, me ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar, drejtimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë i është besuar ministrit të ri Enea Karakaçi, i cili pritet të vijojë projektet dhe reformat e nisura në këtë sektor.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related