Qeveria ka miratuar vendimin për kompensimin e bizneseve për koston shtesë që u është krijuar nga rritja e pagës minimale në vend.
Sipas vendimit të miratuar, shteti do të mbulojë një pjesë të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punëdhënësit, si pasojë e rritjes së pagës minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë.
Kompensimi financiar do të llogaritet në bazë të numrit maksimal të të punësuarve me pagë bruto nga 40 mijë deri në 49,999 lekë, të deklaruar në listëpagesën e muajit shtator 2025 në organet tatimore.
Ndihma financiare do të jepet çdo muaj për periudhën kontributive janar–shtator 2026, nga Drejtoritë Rajonale të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, sipas adresës ku biznesi zhvillon aktivitetin kryesor.
Sipas vendimit, fondi për këtë kompensim do të përballohet nga buxheti i shtetit për vitin 2026.
Zbatimi i kësaj mase ishte paralajmëruar më herët nga kryeministri Edi Rama gjatë dëgjesave me qytetarët për projektbuxhetin e vitit 2026, me qëllim që rritja e pagës minimale të mos rëndojë sektorin privat.
Paga minimale prej 50 mijë lekësh (rreth 500 euro) hyri në fuqi në muajin janar dhe pritet të përfitojnë rreth 307 mijë punonjës në të gjithë vendin.
Sipas planit të qeverisë, deri në fund të mandatit paga minimale në Shqipëri synohet të arrijë në 700 euro.
