Diplomatët zbulojnë: 6 shqiptarë rezidentë në Iran, asnjë nuk ka kërkuar ndihmë për t’u larguar

Data

Mes përshkallëzimit të konfliktit mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, është rritur shqetësimi për shtetasit e huaj që ndodhen në territorin iranian, përfshirë edhe qytetarët shqiptarë.

Burime diplomatike kanë bërë të ditur se aktualisht janë identifikuar gjashtë shtetas shqiptarë rezidentë në Iran. Sipas të njëjtave burime, dy prej tyre janë gra të martuara me shtetas iranianë.

Deri më tani, asnjë prej tyre nuk ka kontaktuar autoritetet shqiptare për të kërkuar ndihmë për t’u larguar nga vendi. Pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit në shtator të vitit 2022, për çështjet konsullore që lidhen me Iranin kujdeset Ambasada e Shqipërisë në Ankara, Turqi.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka këshilluar të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhen në Iran dhe planifikojnë të udhëtojnë drejt Shqipërisë përmes Turqisë që të vendosen menjëherë në komunikim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Ankara.

Ndërkohë, mësohet se disa ditë pas sulmit të SHBA ndaj Iranit në qershor të vitit 2025, autoritetet shqiptare realizuan një operacion riatdhesimi për një familje shqiptare që jetonte prej shumë vitesh në Iran.

Bëhej fjalë për familjen e një shqiptari të punësuar në seksionin e gjuhës shqipe të radios iraniane, i cili jetonte në Iran që prej vitit 1995. Ai udhëtoi së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët drejt Turqisë, për t’u kthyer më pas në Shqipëri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related