Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka komentuar zhvillimet politike në vend dhe rolin e opozitës në zgjatjen e qëndrimit në pushtet të Partisë Socialiste.
I ftuar në një studio televizive, Murrizi u shpreh se sipas tij ardhja në pushtet e kryeministrit Edi Rama lidhet drejtpërdrejt me aleancën politike me Ilir Metën dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Sipas tij, ajo që ai e quajti “tradhtia e prillit” dhe aleanca politike e asaj kohe i hapi rrugën ardhjes së Ramës në pushtet.
“Ramën e solli në pushtet aleanca e Lalzit. Rama ka ardhur në pushtet nga Ilir Meta dhe LSI. Por këtë gjë PD e harron”, u shpreh Murrizi.
Ai kritikoi gjithashtu opozitën për mënyrën se si ka vepruar gjatë viteve të fundit, duke theksuar se edhe ajo ka luajtur një rol negativ në zgjatjen e qeverisjes së socialistëve.
Sipas Murrizit, vendimi për djegien e mandateve nga opozita ishte një gabim i madh politik.
“Lajthitja kolektive e djegies së mandateve për mua ka qenë pazar”, deklaroi ai.
Në komentet e tij, Murrizi u shpreh kritik edhe ndaj funksionimit të Kuvendit, duke thënë se figura e deputetit është dëmtuar ndër vite dhe se niveli i përfaqësimit politik ka rënë ndjeshëm.
