Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zhvilloi sot një mbledhje, gjatë së cilës u miratua raporti vjetor i institucionit për vitin 2025.
Raporti vjetor është një detyrim ligjor i Bankës së Shqipërisë dhe përbën dokumentin kryesor përmes të cilit realizohet llogaridhënia ndaj Kuvendit të Shqipërisë, si dhe informimi i publikut, mediave dhe sistemit financiar mbi aktivitetin dhe vendimmarrjen e institucionit.
Në raport pasqyrohen zhvillimet kryesore makroekonomike në vend, politikat monetare dhe valutore të ndjekura nga Banka e Shqipërisë, si dhe zhvillimet në sistemin bankar dhe rreziqet potenciale për stabilitetin financiar.
Gjithashtu, dokumenti përfshin aktivitetin mbikëqyrës, licencues dhe rregullator të bankës qendrore, veprimtarinë në sistemin e pagesave, administrimin e rezervës valutore, si dhe aktivitetet kërkimore, statistikore dhe të komunikimit me publikun.
Raporti trajton edhe çështje të tjera të rëndësishme si administrimi i burimeve njerëzore, kontrolli i brendshëm dhe objektivat afatmesëm të institucionit.
Gjatë mbledhjes, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe miratoi gjithashtu përdorimin e fitimit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2025, ndërsa u informua edhe për çështje të tjera që lidhen me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të institucionit.
