“Është për të ardhur keq”/ Baton Haxhiu reagon ashpër: Me kaq probleme sa ka PS, vetëm Berisha mund ta mbajë në pushtet

Data

Analisti Baton Haxhiu e cilësoi “një katastrofë” sulmin e militantëve të Partisë Demokratike ndaj ish-vilës së Enver Hoxhës, që aktualisht shërben si qendër arti.

I ftuar në një emision televiziv, Haxhiu tha se PD vuan nga mungesa e vizionit në lidership, ndërsa gjuha e përdorur nga Sali Berisha, sipas tij, është “35 vite e vjetër”.

“Kulturalisht është një katastrofë, anti-historike. Por mendoj se dhuna mbi kujtesën është dhunë e frikacakëve. Ata që ose nuk kanë qenë gjallë fare, ose nuk kanë marrë pjesë në rrëzimin e diktaturave komuniste. Një prej këtyre njerëzve që duhet të ishte i pari kundër, duhet të ishte kryetari i Partisë Demokratike, pasi e ka prekur momentin e largimit të dhunës që në 1990”, u shpreh ai.

Haxhiu kritikoi diskursin e Berishës, duke thënë se ai mbetet i njëjtë me atë të viteve ’90.

“Po e shikoni diskursin që përdor doktori, janë po aq, 35 vite të vjetra. ‘Do të shkruhet me shkronja të arta’. ‘Ky është momenti historik’. ‘Historia e rrëzimit’. Ajo që përmend doktori nuk ekziston. Ajo që ekziston në gjuhën e tij, është diskursi që i pëlqen vetëm pushtetit”, tha ai.

Sipas analistit, opozita po vepron në mënyrë strategjikisht të gabuar, duke i dhënë avantazh qeverisë.

“Mund të them, duhet të jesh shumë i paaftë në strategjinë e lidershipit dhe në paqartësi strategjike si opozitë, që ta mbash pushtetin në këtë mënyrë. Duke mbajtur pushtetin, ai mban edhe veten”, deklaroi Haxhiu.

Ai shtoi se protestat aktuale po dëmtojnë vetë opozitën.

“Ajo që sot quhet protestë e opozitës, është dhunë ndaj vetvetes, krijon imazhin e keq për veten. Nuk ka pozicion strategjik, është vuajtje e pushtetit opozitar dhe liderit të opozitës, i cili ende nuk e ka kuptuar se nuk ndërtohet masa kritike kështu”, u shpreh ai.

Sipas tij, përpjekja për të krijuar jehonë ndërkombëtare përmes incidenteve nuk funksionon më si në vitet ’90.

“Hajde të gjuajmë bomba dhe të shkruhet në Reuters e të përcillet te ne sikur kanë shkruar të gjitha mediat e botës. Kjo propagandë nuk ka më kuptimin e viteve ’90. Jemi larg realitetit se si bëhet PR i një strategjie”, theksoi Haxhiu.

Në fund, ai deklaroi se Partia Socialiste, pavarësisht problemeve të shumta, po qëndron në pushtet për shkak të dobësisë së opozitës.

“PS është në vitin e 14-të, me kaq ndryshime njerëzish, me kaq probleme që ka, vetëm një parti si PD mund ta mbajë në pushtet. Është për të ardhur keq, se PS me këto gabime që bën, me mbet’ në pushtet, këta i ruajt Zoti. I kanë vendosur hekurat dhe mbajnë një përmendore të gjallë. Këta janë mburojë e Kryeministrisë. S’kanë as diskurs, as gjuhë, as strategji, asgjë”, përfundoi Haxhiu.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related