“Lidership pa vizion”/ Salianji ‘thumbon’ ish-kryeministrin: Protesta e PD-së po favorizon Ramën, Berisha ka hallin e zgjedhjeve të prillit

Data

Ish-deputeti Ervin Salianji deklaroi se protestat e Partisë Demokratike po favorizojnë kryeministrin Edi Rama, duke iu referuar protestës së fundit ku u hodhën molotovë drejt ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha.

I ftuar në një emision televiziv, Salianji tha se incidentet e ndodhura sollën reagimin e ambasadave, duke u kthyer sipas tij kundër PD-së. Ai theksoi se problemi kryesor qëndron te mungesa e vizionit në lidership dhe shtoi se protestat aktuale janë të lidhura me zgjedhjet e brendshme të PD-së në prill.

“Arsye për të protestuar ka pafund, por strategji lidershipi nuk ka. Qeveria moralisht ka rënë, e kapur në një mijë skandale, por narrativa që ka lidershipi i PD i shkon në favor Ramës, përfshirë edhe paqartësinë strategjike. Diskutohet se u hodhën disa molotovë nëpër kazanë. Revolta e qytetarëve është për t’u vlerësuar, por drejtimi është i gabuar. Nëse mund të bëhej një shembull, në mënyrë figurative, ishte Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Brendshme e me radhë”, u shpreh ai.

Salianji tha se protestat aktuale nuk janë as tërësisht paqësore dhe as të dhunshme, por sipas tij mbeten në një formë të ndërmjetme që nuk mobilizon qytetarët dhe as nuk motivon militantët.

“E shoh që këto janë protesta për prillin, jo për të rrëzuar Ramën. PD ka patur një topitje. U bë kjo lëvizje që po bëj bashkë me një grup, e ka zgjuar pak PD, por partia është e mërzitur për shkak të humbjeve të njëpasnjëshme. Hidhen fishekzjarrë dhe iket. Është flakë që do t’i mbyllë sytë dhe t’i rezistojë ndryshimit. PD e ka të domosdoshme të ndryshojë vetë”, tha ai.

Sipas tij, pritshmëritë e krijuara për rrëzimin e qeverisë janë të ekzagjeruara dhe dëmtojnë opozitën.

“Janë bërë pesë protesta dhe do të bjerë këtë javë, do të bjerë javën tjetër… Nëse rritet pritshmëria dhe çdo javë kryetari i partisë thotë do ta rrëzojmë këtë javë, por Rama vijon punët e veta, duhet të shohim nga vetja mos është problemi edhe te ne. Vlen protesta si instrument reagimi për skandalet, por pritshmëritë se rrëzohet Rama këtë javë, është problematike”, u shpreh ai.

Ai shtoi se reagimi i ambasadave pas protestës së fundit erdhi për shkak të dhunës, ndërsa më herët nuk kishte pasur reagime të tilla.

“Deri te protesta e kësaj here nuk ka pasur reagim të ambasadave. Por tani pati, duke e dënuar dhunën, sepse iu dha pretekst. Nuk kishte reagim kur bëhej protestë te Kryeministria. Kjo e zhvendos fokusin dhe i shkon në favor Edi Ramës. Sot PD mund ta kishte zaptuar hapësirën publike duke diskutuar për dosje dhe fakte. Nuk po e nxjerr PS, por PD duhet të dilte e të thoshte: ja ku janë faktet”, përfundoi Salianji.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related