Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas sulmit të përbashkët të SHBA-së dhe Izraelit në Iran, duke deklaruar se Shqipëria do ta shpallë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike organizatë terroriste.
Përmes një reagimi publik, Rama u shpreh se Garda Revolucionare “duhet të trajtohet si organizatë terroriste”, jo vetëm përmes sanksioneve, por duke u listuar zyrtarisht si e tillë, siç kanë bërë më herët SHBA dhe Kanadaja.
Ai theksoi se Shqipëria ka përjetuar drejtpërdrejt agresione kibernetike nga regjimi i Teheranit, duke e cilësuar çështjen si problem të sigurisë kombëtare dhe jo thjesht debat gjeopolitik.
Rama shtoi se vendimi do të shoqërohet me thirrje ndaj vendeve të Bashkimit Europian që të ndjekin të njëjtën linjë, ndërsa shprehu mbështetje për çdo përpjekje që synon të ndalojë Iranin nga sigurimi i kapaciteteve bërthamore apo ushtarake që mund të kërcënojnë Izraelin apo vende të tjera në rajon.
