Prokuroria e Posaçme (SPAK), përmes agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka zhvilluar një aksion në zyrat e Autoritetit Portual Durrës, ku është sekuestruar dokumentacioni që lidhet me tenderin për ndërtimin e Portit të ri tregtar në Porto Romano. Procedura, me vlerë rreth 400 milionë euro, është zhvilluar në dy faza dhe aktualisht në garë ka mbetur vetëm një operator ekonomik.
Sipas burimeve zyrtare, ndërhyrja e SPAK vjen pas një kallëzimi të bërë nga kompania holandeze “Van Oord Dredging and Marine Contractors B.V”, e cila ka kundërshtuar procedurën e ndjekur në tender. Kompania, me eksperiencë të gjatë ndërkombëtare, pretendon parregullsi në procesin e vlerësimit dhe përjashtimit nga gara.
Nga faza e parë e tenderit janë skualifikuar disa kompani, ndërsa oferta përfundimtare financiare pritet të dorëzohet më 9 mars 2026, pas një shtyrjeje të afatit të kërkuar nga bashkimi i operatorëve “ARCHIRODON Construction (Overseas) Company Limited – DEME Dredging NV – Società Italiana Dragaggi S.p.A.”, i cili ka mbetur i vetmi në garë.
Autoriteti Portual Durrës ka konfirmuar zyrtarisht shtyrjen e afatit për dorëzimin e ofertave, duke argumentuar kompleksitetin e projektit dhe nevojën për kohë shtesë për përgatitjen e dokumentacionit teknik dhe financiar.
Ndërkohë, sekuestrimi i dokumenteve nga SPAK pritet të ndikojë në ecurinë e mëtejshme të procedurës, pasi çdo veprim i mëtejshëm do të varet nga verifikimet dhe hetimet në vijim. Tenderi për Porto Romanon konsiderohet një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend, me synim zhvendosjen e funksioneve tregtare nga Porti aktual i Durrësit drejt zonës së re industriale.
Zhvillimet e fundit krijojnë paqartësi mbi afatet e shpalljes së fituesit dhe nisjes së punimeve, ndërsa hetimet e SPAK pritet të sqarojnë ligjshmërinë e procedurave të ndjekura deri më tani.
