Një foshnjë ka ndërruar jetë disa orë pas lindjes në maternitetin e Spitalit Rajonal të Durrësit, ndërsa Prokuroria ka nisur hetimet për dyshime për neglizhencë mjekësore.
Sipas burimeve hetimore, nëna është paraqitur në maternitet më 19 shkurt dhe gjatë një pritjeje rreth 6-orëshe për lindje, fetusi ka shfaqur dy episode me çrregullime të rrahjeve të zemrës. Dyshohet se këto shenja nuk janë vlerësuar për ndërhyrje me operacion cezarian dhe është vijuar me lindje natyrale.
Foshnja, një djalë me peshë 3500 gram, ka lindur në gjendje të rënduar, me asfiksi dhe ujëra të ndotura. Sipas të dhënave, ai nuk ka shfaqur menjëherë shenja jete dhe është vendosur në aparaturë për asistim të frymëmarrjes (CPAP), por ka ndërruar jetë 3-4 orë më vonë. Gjendja e tij nuk ka lejuar transportimin drejt një qendre më të specializuar.
Pas kallëzimit të bërë nga nëna, ndaj mjekut që ka ndjekur lindjen është regjistruar procedim penal. Ndërkohë, drejtoria e spitalit ka ngritur një komision për oponencë klinike të kartelës mjekësore, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë.
