PE: Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri, test për integrimin në BE

Data

Gjatë diskutimit të draft-raportit për progresin e Shqipërisë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian (AFET), eurodeputetë të ndryshëm ngritën shqetësime për korrupsionin, klimën politike dhe sundimin e ligjit në vend.

Kryetari i AFET, David McAllister, theksoi se miratimi i ligjeve nuk mjafton, por kërkohet zbatim konkret i reformave sipas kritereve të Kopenhagenit. Ai nënvizoi se procesi i integrimit është i bazuar në meritë dhe kërkon rezultate të matshme.

Eurodeputeti Michael Gahler u ndal te rasti i Belinda Ballukut, duke e cilësuar si shembull të mënyrës sesi trajtohen akuzat për korrupsion në nivele të larta. Sipas tij, refuzimi për heqjen e imunitetit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ngre pikëpyetje mbi vullnetin politik për të luftuar korrupsionin.

Edhe Andrey Kovatchev kërkoi që hetimet ndaj zyrtarëve të lartë të vijojnë pa ndërhyrje politike dhe që kërkesat për heqje imuniteti të shqyrtohen pa vonesa. Ai shprehu shqetësim për propozime ligjore që mund të kufizojnë pezullimin e zyrtarëve gjatë hetimeve.

Raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder, theksoi se korrupsioni mbetet një problem serioz dhe se klima e polarizuar politike, përfshirë akuzat për blerje votash, ndikon negativisht në procesin e integrimit. Sipas tij, përparimi duhet të matet me ndryshime konkrete dhe mbyllje reale të kapitujve të negociatave.

Në përfundim, përfaqësues të Komisionit Evropian theksuan rëndësinë e reformës zgjedhore, pavarësisë së gjyqësorit dhe zbatimit efektiv të ligjit, duke bërë të qartë se rruga drejt BE-së kërkon rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related