Probleme serioze janë shfaqur në rrugët nacionale të qarkut të Beratit, ku segmenti Përmet–Skrapar ka pësuar dëmtime të konsiderueshme.
Sipas raportimeve, që prej mbrëmjes së djeshme asfalti i këtij aksi është çarë në mes dhe në një pjesë të konsiderueshme është shembur. Dëmtimi ka ndodhur në fshatin Rog Çepan, në afërsi të Përmetit, duke krijuar rrezik për qarkullimin e mjeteve.
Ndërkohë, prej rreth tre orësh është bllokuar edhe hyrja në qytetin e Skraparit. Në fshatin Buzuq janë shkëputur masive shkëmbore nga mali, duke rënë në rrugë dhe duke penguar kalimin e automjeteve.
Forcat dhe mjetet e angazhuara në terren po punojnë për largimin e masiveve dhe për normalizimin e situatës, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.
