Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në një konferencë për mediat se protesta e paralajmëruar për 28 shkurt do të zhvillohet në një format ndryshe nga tubimet e mëparshme.
I pyetur nga gazetarët mbi mënyrën se si do të organizohet protesta, Berisha u shpreh se opozita po shqyrton forma të ndryshme reagimi, duke theksuar se “asgjë nuk përjashtohet”. Ai nënvizoi se protesta do të jetë “më kreative” dhe se do të ketë diversifikim të formave të saj.
Kur u pyet konkretisht nëse mes opsioneve është edhe bllokimi i rrugëve, kreu i PD-së tha se të gjitha alternativat janë në konsideratë, por theksoi se bëhet fjalë për protesta paqësore.
Deklaratat e tij vijnë në një moment tensioni të shtuar politik, ndërsa opozita ka paralajmëruar përshkallëzim të aksionit kundër qeverisë. Detajet për mënyrën konkrete të organizimit të protestës pritet të bëhen publike në ditët në vijim.
