Guadalajara në alarm pas vrasjes së “El Menchos” Meksika përballet me valë të re dhune, ndërhyn presidentja

Data

Qyteti perëndimor i Guadalajara-s është përfshirë nga tensione të forta pas vrasjes së Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, lider i kartelit Jalisco Nueva Generación. Pas operacionit të forcave të sigurisë që çoi në eliminimin e tij, grupe të armatosura reaguan duke i vënë flakën dhjetëra automjeteve dhe duke ngritur barrikada në disa zona të qytetit.

Pamjet nga terreni tregojnë makina të djegura dhe rrugë të bllokuara, ndërsa autoritetet raportojnë dëme të konsiderueshme në infrastrukturë. Sulmet janë interpretuar si një demonstrim force nga një prej organizatave kriminale më të fuqishme në vend.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se situata është nën kontroll dhe po shkon drejt normalizimit, duke vlerësuar reagimin e shpejtë të forcave të sigurisë. Ajo theksoi se prania policore dhe ushtarake në zonë është forcuar për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.

Megjithatë, frika mbetet e lartë mes qytetarëve. Shumë shkolla dhe biznese qëndruan të mbyllura, ndërsa banorët raportojnë tension dhe pasiguri. Ekspertë të sigurisë paralajmërojnë se eliminimi i drejtuesve të karteleve shpesh krijon vakume pushteti që mund të nxisin përplasje të reja për kontroll territori.

Operacioni që çoi në vrasjen e “El Menchos” u zhvillua në rajonin e Jaliscos, pas një ndjekjeje që përfundoi në një pronë në zonën malore të Tapalpa-s. Autoritetet thanë se informacionet paraprake erdhën nga burime të afërta me rrethin e tij.

Ndërsa qeveria flet për stabilizim gradual, analistët paralajmërojnë se ditët në vijim do të jenë vendimtare për të kuptuar nëse dhuna do të zbehet apo do të pasojë një fazë e re përplasjesh mes grupeve kriminale në një nga rajonet më të ndjeshme të Meksikës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related