Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar sërish dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për përfshirje në afera të mëdha korruptive dhe për pengim të funksionimit të drejtësisë.
Në një konferencë për mediat, Berisha deklaroi se Rama është i implikuar në “mega afera” dhe se, sipas tij, është bërë pengesë për veprimin e drejtësisë ndaj zyrtarëve të lartë.
Ai iu referua një raporti të vitit 2014 të OSBE, duke pretenduar se në të përmendet emri i Ramës lidhur me akuza për depozitime në “offshore” në vlerë prej 200 milionë eurosh. Sipas Berishës, ndaj kësaj akuze nuk është ndërmarrë asnjë padi nga kryeministri.
“Përsëri jam këtu për të kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës nga detyra e kryeministrit. Ai rezulton jo vetëm i implikuar në mega aferat më të mëdha korruptive, por është edhe pengesa e funksionimit të drejtësisë”, u shpreh Berisha.
Ish-kryeministri ngriti akuza edhe për pasuritë e Ramës, përfshirë banesën e tij në Surrel dhe një pallat në Tiranë, për të cilat pretendon se janë ndërtuar me fonde të pajustifikuara dhe në kundërshtim me ligjin.
Sipas tij, kryeministri “u bë kryeministër me Sarajet e Surrelit”, duke shtuar se pas ardhjes në pushtet, Rama ka vijuar, sipas akuzave të tij, me shpërndarje tenderash dhe favorizime.
Deklaratat e Berishës vijnë në një klimë të tensionuar politike, ndërsa opozita ka intensifikuar akuzat ndaj qeverisë lidhur me korrupsionin dhe funksionimin e drejtësisë.
