Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka mbajtur një fjalim të ashpër kritik në Kuvend, duke sulmuar qeverinë për dështim në reforma kyçe si drejtësia, shëndetësia dhe arsimi.
Me tone ironike, ai iu drejtua ministres së Jashtme duke komentuar vizitën e saj në Vjenë: “Shkuat në koncertin e harqeve, por këtu erdhët dhe i ratë fyellit me një vrimë.” Sipas tij, ndërsa jashtë vendit paraqitet një imazh pozitiv, brenda situata është krejt ndryshe.
Korreshi ngriti shqetësimin për zvarritjen e proceseve gjyqësore, duke thënë se me reformën në drejtësi një çështje mund të zgjasë deri në 16 vite. Ai akuzoi mazhorancën se, ndonëse mburret me SPAK-un, në praktikë pengon hetimet ndaj zyrtarëve të lartë.
Në fjalën e tij ai përmendi edhe gjendjen në Spitalin e Lushnjës, ku sipas tij rikonstruksioni është zvarritur prej muajsh, si dhe kushtet në shkollat rurale dhe tarifat universitare, duke e cilësuar situatën si larg standardeve europiane.
