Pas katër ditësh i bllokuar nga ortekët dhe reshjet intensive të dëborës, aksi malor Theth–Bogë është bërë sërish i kalueshëm.
Zhbllokimi i rrugës u realizua pas një pune të pandërprerë gjatë gjithë natës nga ekipet në terren, të cilat punuan për pastrimin e dëborës dhe largimin e masiveve të rrëshqitura.
Gjatë ditës së sotme, segmenti u inspektua nga autoritetet vendore dhe përfaqësues të strukturave të emergjencës, të cilët ndoqën nga afër situatën dhe masat e marra për garantimin e sigurisë në zonë.
Me përfundimin e pastrimit të segmentit të prekur, ka nisur lëvizja e mjeteve nga Thethi në drejtim të Bogës. Ndërkohë vijon puna për kriposjen dhe zgjerimin e pjesës së kalueshme, për të shmangur rreziqet nga ngricat dhe për të siguruar qarkullim normal.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal, të respektojnë sinjalistikën dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave në terren, pasi temperaturat e ulëta vijojnë të mbeten prezente në zonat malore.
