Agasi në kërkim, motra e tij në drejtim të Prokurimeve në AKSHI duartroket Ramën në prezantimin e kreut të ri

Data

Kryeministri Edi Rama ishte këtë të martë në ambientet e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku prezantoi Igli Tafën si drejtuesin e ri të institucionit, pas largimit të Mirlinda Karçanajt, e cila ndodhet nën hetim nga SPAK në kuadër të dosjes së njohur si “grupi kriminal i AKSHI-t”.

Por nga takimi prezantues ka dalë në pah një detaj që ka ngjallur reagime. Mes të pranishmëve që duartrokisnin kryeministrin gjatë fjalës së tij, ishte edhe Viola Agasi, motra e biznesmenit Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme.

Viola Agasi mban postin e Drejtoreshës Juridike të Prokurimeve dhe Integrimit në AKSHI, një pozicion kyç në një institucion që administron procedurat e tenderimit në fushën e teknologjisë së informacionit.

Sipas hetimeve të SPAK, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri dyshohet se kishin ndikim të drejtpërdrejtë në procedurat e prokurimit të AKSHI-t, duke kontrolluar tendera dhe duke ushtruar presion ndaj rivalëve. Në dosje përmendet edhe rasti i Gerond Meçes, për të cilin pretendohet se është përdorur presion për përfitimin e kontratave.

Ndërkohë, prania e motrës së një personi të shpallur në kërkim në një post drejtues brenda të njëjtit institucion që është në qendër të hetimeve, ka shtuar pikëpyetjet mbi lidhjet dhe konfliktet e mundshme të interesit.

Prezantimi i drejtuesit të ri të AKSHI-t u shoqërua me deklarata të forta nga kryeministri Rama, i cili mbrojti punën e institucionit dhe kërkoi vazhdimin e reformave në fushën e digjitalizimit, pavarësisht hetimeve në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related