Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka publikuar në rrjetet sociale pamje që sipas tij tregojnë gjendjen problematike në Spitalin e Lushnjes.
Në reagimin e tij, Korreshi iu përgjigj deklaratës së Ministrisë së Shëndetësisë, e cila kishte sqaruar se godina e denoncuar më herët nuk ishte funksionale. Deputeti demokrat shfaqi pamje nga ambientet e spitalit, duke theksuar se hyrja në repartin e imazherisë është e rrethuar nga mbetje, ndërsa në oborrin e jashtëm shihen pellgje uji dhe kanale të bllokuara.
Ai ndaloi edhe te ambientet pranë morgut, për të cilin pretendon se është funksional, por rrethuar nga mbetje. Sipas tij, në derën e morgut është vendosur tabela “Mos parko”, duke e cilësuar situatën si tregues të neglizhencës në institucionin shëndetësor.
Nga ana tjetër, nuk ka ende një reagim të ri zyrtar nga autoritetet shëndetësore lidhur me pamjet e publikuara.
