Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje punonjësve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit që të vijojnë punën normalisht, pavarësisht hetimeve të nisura nga drejtësia për procedurat e mëparshme të institucionit. Gjatë prezantimit të drejtuesit të ri, ai theksoi se AKSHI duhet të mbetet “fari” i revolucionit digjital në vend.
Rama deklaroi se qeveria do të ndërhyjë në legjislacion për të mundësuar rritje pagash për stafin e agjencisë, duke premtuar se ato do të jenë ndër më të lartat në administratën publike. Sipas tij, ky është një mesazh vlerësimi dhe mbështetjeje për punonjësit, në një moment që ai e cilësoi të vështirë për institucionin.
Ai theksoi se hetimet janë çështje e drejtësisë dhe se institucioni nuk është “i pahetueshëm”, por shtoi se puna për digjitalizimin e shërbimeve publike duhet të vazhdojë pa ndërprerje. Rama përmendi platformën e-Albania si një arritje të rëndësishme, duke theksuar se sot ajo përdoret nga qytetarë brenda dhe jashtë vendit.
Kryeministri njoftoi gjithashtu për bashkëpunime të reja me kompani ndërkombëtare të teknologjisë, si NVIDIA dhe Microsoft, duke theksuar se synimi është çuarja në një nivel tjetër e infrastrukturës digjitale në Shqipëri.
