Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas prezantimit në grupin parlamentar të PS të ndryshimeve ligjore që prekin imunitetin e zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Berisha e cilësoi nismën si një akt të rëndë kundër shtetit ligjor, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të vendosë veten dhe qeverinë mbi ligjin. Sipas tij, amendamenti synon të mbrojë zyrtarët nga hetimet dhe të godasë funksionimin e drejtësisë.
“Ky është akti më i rëndë dhe kriminal e poshtërues ndaj qytetarëve shqiptarë që Rama guxon të marrë. Me këtë akt ai u thotë shqiptarëve se personalisht dhe organizata e tij kriminale qëndrojnë mbi ligjin dhe nuk mund të hetohen”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se ndryshimi ligjor përbën, sipas tij, një goditje ndaj aspiratave europiane të vendit dhe një përpjekje për të mbrojtur sistemin e korrupsionit. Në fund të deklaratës, Berisha paralajmëroi pasoja politike për kryeministrin.
“E paralajmëroj Ramën se do të paguajë çmimin më të shtrenjtë. Data 20 po vjen”, deklaroi ai, duke iu referuar protestës së paralajmëruar nga opozita.
