Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku po prezantohet nisma për ndryshimet ligjore lidhur me pezullimin e zyrtarëve të lartë.
Rama e cilësoi të papranueshëm pezullimin e një anëtari të kabinetit qeveritar nga gjykata në një fazë paraprake, pa nisur ende gjykimi në themel, duke argumentuar se një masë e tillë nuk prek vetëm individin, por vetë funksionin institucional.
Sipas tij, pezullimi i një ministri do të paralizonte veprimtarinë e institucionit që ai drejton, duke e pamundësuar ushtrimin normal të detyrave dhe pjesëmarrjen në vendimmarrje në Këshillin e Ministrave.
“Pezullimi nuk cënon personin, por funksionin. Nuk pezullohet vetëm vajtja në punë e një individi, por puna e institucionit”, u shpreh Rama, duke e cilësuar debatin si “absurd”.
Ai kritikoi ashpër kundërshtarët e nismës, duke deklaruar se reagimet kundër ndryshimeve ligjore janë nxitur nga “kultura e dobët demokratike” dhe mungesa e kuptimit mbi ndarjen e pushteteve.
Deklaratat e Ramës vijnë në një moment kur SPAK ka kërkuar masa ndaj zyrtarëve të lartë, ndërsa mazhoranca ka ndërmarrë nismën për të ndryshuar nenin përkatës të Kodit të Procedurës Penale, duke përjashtuar nga pezullimi disa funksione kushtetuese.
