20-vjeçari Renato Xyke është identifikuar si autori i dyshuar i vrasjes së 26-vjeçarit shqiptar Kevin Muharremi në Itali. Sipas mediave vendase, i riu, gjithashtu me origjinë shqiptare dhe banues në Santa Maria a Monte, u arrestua disa orë pas ngjarjes.
Krimi ndodhi pas një konflikti të dyshuar në një lokal në zonën e Capanne, në Montopoli Valdarno. Muharremi u qëllua në qafë me armë zjarri nga një automjet tip SUV që iu afrua paralelisht makinës ku ai ndodhej me miqtë e tij.
Pas ngjarjes, i dyshuari u arratis me një Range Rover Evoque gri të errët, por u ndalua nga policia rrugore në autostradën A1, në segmentin e Arezzo, disa qindra kilometra larg vendit të krimit.
Autoritetet po hetojnë për të sqaruar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe nëse ka pasur një ndjekje mes dy automjeteve. Ndërkohë, 20-vjeçari ndodhet në dispozicion të autoriteteve gjyqësore në Piza.
Kevin Muharremi jetonte në Fucecchio, ku punonte në një lavazh dhe servis automjetesh.
