Kompensim nga DIVA edhe për individët pa fëmijë; Tatimet sqarojnë procedurën

Data

Edhe individët që nuk kanë fëmijë në ngarkim mund të përfitojnë kompensim nga Deklarata Individuale e të Ardhurave Vjetore (DIVA 2025), nëse nga rillogaritja rezultojnë me tatim të mbipaguar.

Rasti i një punonjëseje që pas plotësimit të DIVA-s rezultoi me 3,172 lekë tatim të mbipaguar, edhe pse nuk kishte deklaruar fëmijë në ngarkim, ka nxjerrë në pah një risi të këtij viti: për herë të parë tatimi mbi të ardhurat nga punësimi rillogaritet mbi bazë vjetore dhe jo mujore.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, çdo individ që në kolonën “tatim i mbipaguar” (kolona 57) rezulton me vlerë pozitive, ka të drejtë të aplikojë për rimbursim ose kompensim të shumës.

Pse lind mbipagesa?

Gjatë vitit, tatimi mbi pagën mbahet mbi bazë mujore nga punëdhënësi. Ndërsa në DIVA bëhet rillogaritja mbi bazë vjetore, duke marrë në konsideratë të ardhurat totale dhe zbritjet e lejuara. Si pasojë e kësaj metode të re llogaritjeje, disa individë mund të rezultojnë:

  • Me tatim të mbipaguar (me të drejtë rimbursimi),
  • Me rezultat zero,
  • Ose me detyrim për pagesë shtesë.

Tatimet parashikojnë që rreth 200 mijë individë do të dorëzojnë DIVA-n këtë vit.

Si aplikohet për rimbursim?

Aplikimi bëhet përmes portalit e-Filing:

  1. Në “Profili im” plotësohen të dhënat bankare (IBAN, banka, monedha).
  2. Në modulin “Çështjet e mia” krijohet një kërkesë e re.
  3. Zgjidhet opsioni “Pyetje të Përgjithshme”.
  4. Plotësohet kërkesa me tekstin:
    “Unë, (emër mbiemër), me numër identifikimi…, paraqes kërkesën për rimbursim/kompensim të tatimit të mbipaguar sipas DIVA.”

Në rastet e thjeshta të mbipagesës nga rillogaritja vjetore, nuk kërkohet dokument shtesë, përveç të dhënave bankare.

Ndërsa për kompensimin e shpenzimeve arsimore kërkohen:

  • IBAN,
  • Certifikatë familjare,
  • Fatura të fiskalizuara për shpenzimet e arsimit.

Afatet

Afati për dorëzimin e DIVA-s është 31 marsi.

Rimbursimet pritet të nisin në muajin prill, pas verifikimeve nga administrata tatimore.

Ligji parashikon që e drejta për rimbursim nuk humbet për 5 vite, edhe nëse individi nuk aplikon menjëherë.

Detyrimin për plotësimin e DIVA-s e kanë individët me të ardhura mbi 1.2 milionë lekë në vit, të dypunësuarit dhe ata që kanë të ardhura të tjera të padeklaruara mbi 50 mijë lekë në vit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related