Shtrenjtimi i qirave, si edhe rritja e shpenzimeve për argëtim dhe sport, kanë ndikuar në rritjen e inflacionit në muajin e parë të vitit 2026. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), norma e inflacionit për muajin janar arriti në 2.3 për qind.
Drejtoresha e INSTAT, Lantona Sado, bëri të ditur se grupi “Argëtim, sport dhe kulturë” ka dhënë kontributin më të lartë në rritjen e çmimeve, me një ndikim prej 4.9 për qind. Pas tij renditen shpenzimet për qira, ujë dhe karburante, të cilat gjithashtu kanë ushtruar presion mbi buxhetet familjare.
Ndërkohë, INSTAT ka njoftuar se ka ndryshuar metodologjinë e përllogaritjes së inflacionit, duke shtuar rreth 80 produkte të reja në shportën e mallrave dhe shërbimeve. Sipas institucionit, ky ndryshim nuk ka ndikuar në peshën përfundimtare të inflacionit, por synon ta bëjë matjen më përfaqësuese për strukturën aktuale të konsumit.
Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) mbetet treguesi zyrtar për matjen e inflacionit në Shqipëri dhe reflekton ndryshimet relative të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve që përdoren nga familjet për konsum vetjak.
