Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në një konferencë për mediat se raportimet për policë të lënduar gjatë protestës së opozitës ishin pjesë e një skenari të parapërgatitur nga qeveria.
Sipas tij, efektivëve u hidhej gaz lotsjellës dhe më pas futeshin në ambulanca për të krijuar përshtypjen e të plagosurve. Berisha pretendoi se mbrëmjen e protestës kishte shkuar personalisht në Spitalin e Traumës dhe se, ndonëse ishte njoftuar për disa policë të shtruar, nuk kishte gjetur asnjë të regjistruar si i dëmtuar.
Ai shtoi se disa efektivë kishin shkuar për kontroll, por sipas tij, ishin larguar menjëherë pa probleme shëndetësore. Berisha e cilësoi situatën si “faqe e zezë” dhe “lojë me barela”, duke këmbëngulur se nuk kishte pasur policë të plagosur.
Nga ana e autoriteteve nuk ka reagim zyrtar mbi këto pretendime.
