Tensione janë shënuar pas përfundimit të fjalimeve në protestën e mbajtur përpara godinës së Kryeministrisë. Një pjesë e protestuesve kanë nisur të hedhin lëndë piroteknike në drejtim të institucionit, duke rritur ndjeshëm situatën e pasigurisë në zonë.
Në përgjigje të këtyre veprimeve, forcat e policisë kanë ndërhyrë duke përdorur ujë për të shpërndarë turmën dhe për të rikthyer kontrollin e situatës. Protestuesit janë detyruar të tërhiqen nga perimetri i sigurisë, ndërsa tensionet kanë vijuar për disa minuta.
Sipas raportimeve, gjatë përplasjes janë hedhur edhe sende të forta në drejtim të efektivëve dhe godinës së Kryeministrisë, ndërsa janë shkulur gardhe metalike të vendosura për sigurinë e institucionit. Policia ka forcuar praninë në zonë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Ende nuk ka njoftime zyrtare për persona të lënduar apo dëme materiale, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e zhvillimeve pas protestës.
