Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë së Hagës për dënime të rënda ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e paanshme dhe e mbështetur në standarde të barabarta për të gjitha palët.
Spiropali u shpreh se kohëzgjatja e gjatë e paraburgimit dhe natyra e akuzave ngrenë pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Sipas saj, ekziston rreziku që ky proces të perceptohet si i njëanshëm, veçanërisht nëse krahasohet me mungesën e ndëshkimit për krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Ministrja theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje çlirimtare e mbështetur gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare dhe se çdo proces gjyqësor duhet të dallojë qartë përgjegjësinë individuale penale nga karakteri historik i luftës për liri. Ajo paralajmëroi se drejtësia e perceptuar si selektive dëmton besimin publik dhe rrezikon pajtimin në rajon.
Spiropali nënvizoi se Shqipëria do ta ndjekë me vëmendje këtë proces dhe mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të shtetit të së drejtës, drejtësisë ndërkombëtare dhe dinjitetit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, duke theksuar se vetëm një drejtësi e besueshme mund të shërbejë për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.
